Kryeziu: Kushtetuta jonë është më e avancuara për të drejtat dhe lirinë njerëzore
Lajme / 9 Prill, 2024
admin

Sot, bëhen 16 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Dy muaj pas shpallës së Pavarësisë është ratifikuar Kushtetuta e Kosovës në Kuvend dhe hyri në fuqi më 15 qershor të 2008-tes.

Kushtetuta është akti më i lartë juridik që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim.

Lidhur me shënimin e ditës së Kushtetutës për Front Online ka folur ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kyreziu.

Ai thotë se në raport me shtetet fqinjë Kosovë nuk e ka shkelur Kushtetutën.

Sipas tij, Kushtetuta duhet të zbatohet dhe është detyrë e autoriteteve zyrtare të shtetit.

Ai thotë se njëra ndër më të avancuarat për të drejtat dhe liritë njerëzore është Kushtetuta e Kosovës.

“Është një Kushtetutë e cila rregullon jetën politike, ekonomike, sociale e sigurinë e rregullon në Kosovë. Nëse merret në mënyrë komulative konsideroj që nuk është shkelur Kushtetuta në raport me shtetet që i kemi përreth të cilët autoritetet e shtetit e kanë shkelë Kushtetutën. E jona është një prej Kushtetutave më të avancuara për të drejtat dhe lirinë njerëzore po ashtu edhe të minoriteteve. Duhet të zbatohet, detyrë e kanë autoritetet zyrtare të shtetit për zbatushmërinë e saj”, u shpreh Kryeziu.

Pjesa më e madhe e Kushtetutës rrjedh nga Plani Ahtisaarit, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kushtetuta ka 14 kapituj dhe 162 nene. 9 prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë që do të thotë se institucionet sot do ta kenë ditë pushimi.

Shperndaje: