Kthehen në punë kirurgët e dyshuar për korrupsion në Spitalin e Vushtrrisë
Lajme / 29 Maj, 2023
admin

Tre kirurgët që u arrestuan nën dyshimet se janë të përfshirë në aferë korruptive, tanimë janë liruar dhe i janë rikthyer punës në Spitalin e Vushtrrisë, raporton Front Online.

Lajmi e kanë konfirmuar për Front Online nga ky spital.

 “Tani më janë liruar të tre kirurgët e dyshuar. Dhe që të tre janë kthyer në vendin e punës. Njëri prej tyre ka qenë në pushim vjetor dhe presim të nis punën edhe ai. Pra, në punë i kemi katër kirurgë. Nevojat janë edhe për 3 maksimalisht”, thuhet në përgjigjen e spitalit të Vushtrrisë.

Rastin në fjalë e patën konfirmuar edhe Policia e Kosovës, se kirurgët e Spitalit të Vushtrrisë janë arrestuar nën dyshimin për marrje ryshfeti, pas raportimeve se kishin marrë para për t’i kryer operimet.

Këto masa erdhën pas disa videove që një media i pati publikuar ku shihej se si pacientë dhe familjarë tregojnë se si iu kanë dhënë para mjekëve për të kryer operacionet në këtë spital.

Ky spital po përballet edhe me probleme të tjera.

Për disa kohë, Spitali i Vushtrrisë ka pasur dhe mungesë të dioksidit të karbonit, ku si pasojë nuk ka mundur të kryhen operimet.

Megjithatë, në një përgjigje për Front Online, nga ky spital thonë se tanimë është zgjidh falë donacionit.

“Po, në Spitalin “Sheikh Zayed” në Vushtrri janë duke u kryer operimet. Ka pasur vështirësi në operime për shkak të mungesës së CO2 , por tani është tejkaluar përkohësisht për shkak se kemi gjetur donacion. Brenda ditës kryhen minimum 4 operime të llojeve të ndryshme”, thuhet në përgjigjen e Spitalit.

Për të marrë intervenimin, pacientët janë të detyruar të presin deri në gjashtë javë.

“Për shkak të sfidave me të cilat nisi viti 2023 lista e pritjes së pacientëve për intervenime këtë kohë është më gjatë, përkatësisht rreth gjashtë javë. Megjithatë shpresojmë se brenda 2 muajsh të stabilizohet gjendja dhe të kemi listën minimale të pritjes”, thuhet në përgjigjen e Spitalit.

Në Spitalin e Vushtrrisë aktualisht janë 162 punëtorë.

Nga ky spital thonë për Front Onlin se pritet të hapin konkurs edhe për vende të tjera.

“Spitali “Sheikh Zayed” aktualisht ka 162 punëtorë. Jemi në fazën e përgatitjeve për shpalljen e konkursit publik edhe për 10 vende të tjera, të cilat do të përcaktohen në varësi të nevojave. Prioritet janë mjekët specialistë të lëmive të ndryshme, kryesisht emergjencë, anestezion, biokimistë por edhe kirurgë. Në varësi të nevojave do të shpallim konkursin dhe presim të përmbushën optimalisht nevojat. Vlen të theksohet se në planin afat mesëm kemi nevojë për kirurgë për të plotësuar numrin e nevojshëm”, thuhet në përgjigjen që dhanë nga Spitali i Vushtrrisë.

Në Spitalin “Sheikh Zayed” në Vushtrri aktualisht janë 46 mjek specialist të lëmive të ndryshme specialistike.

Front Online ka pyetur edhe Prokurorinë Themelore në Mitrovicë lidhur me procedurat hetimore rreth këtij rasti, por të njëjtit nuk kane dhënë detaje.

“Ky rast është nën hetim”, thuhet në përgjigjen e tyre për Front Online.

Tre kirurgët, Isuf Zekaj, Ekrem Sefiu dhe Arsim Latifaj po hetohen nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës nën dyshimet se janë përfshirë në një skandal ryshfeti pasi dyshohet se kanë marr para nga pacientët për të kryer operacionet.

 

Shperndaje: