Kush po e paguan rrymën në veri? Qeveria dhe ZRRE-ja heshtin, flasin BE-ja e KOSTT-i
Energji / 26 Dhjetor, 2022
admin

Qeveria e Kosovës dhe Zyra e Rregullatorit për Energji nuk e pohojnë e as nuk e mohojnë.

Këto dy institucione kanë zgjedhur heshtjen lidhur me pyetjet e Front Online nëse pagesën në veri po e bëjnë serbët apo shpenzimet elektrike mbulohen akoma nga paratë e taksapaguesve të Kosovës, siç ka ndodhur tash e dy dekada.

Praktikës së tillë ishte paraparë t`i vihej fundit me nënshkrimin e Udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë, të nënshkruar më 21 qershor nga Kosova e Serbia.

Ai nuk po zbatohet akoma.

Nga BE presin që kjo të ndodh shpejt, meqë e konsiderojnë çështje urgjente shkaku i sezones së dimrit.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, thotë se finalizimi i zbatimit të marrëveshjes është urgjent.

 “Finalizimi i zbatimit është urgjent duke pasur parasysh sezonin e dimrit dhe në dritën e ruajtjes së sigurisë energjetike të qytetarëve në Kosovë dhe zbutjes së përhapjes së çfarëdo rreziku për rrjetin elektrik të Evropës në këto kohë sfiduese”, ka thënë për Front Online zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Nga BE-ja thonë se janë në kontakt të vazhdueshëm me palët përgjegjëse dhe u kërkojnë atyre që të përshpejtojnë zbatimin e të gjitha dispozitave në pritje të Udhërrëfyesit për Energjinë.

“Bashkimi Evropian mbetet në kontakt të afërt me të gjithë aktorët përkatës të energjisë dhe i nxit ata që të përshpejtojnë zbatimin e të gjitha dispozitave në pritje të Udhërrëfyesit për Energjinë”, thotë Stano për Front Online.

Nga KOSTT kanë kthyer përgjigje, por nuk kanë treguar nëse aktualisht po e paguajnë rrymën në Veri.

“Në mungesë të buxhetit, për mbulimin e humbjeve nga energjia e konsumuar në pjesën veriore të Kosovës energjia elektrike tërhiqet në formë të devijimeve nga Sistemi Elektroenergjetik i Evropës Kontinentale. Por të gjitha imbalancet/devijimet e shkaktuara ndaj sistemit interkonektiv përfshirë devijimet për shkak të veriut paraqesin obligime financiare për KOSTT-in si zonë e pavarur rregulluese, ndaj ENTSO-E”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës. Faturat e tyre kanë qenë më të larta për 3.5 për qind.

Megjithatë, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit në Kosovë ka vendosur në fund të vitit 2017 për pezullimin e kësaj praktike, duke konstatuar se është e paligjshme.

Ky vendim më vonë është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe pagesa ka kaluar te KOSTT-i.

Shperndaje: