Liberalizimi i vizave/ Nga 1 Janari 17 mjekë kanë lëshuar Kosovën
Lajme / 12 Shkurt, 2024
admin

Ikja e mjekëve nga vendi po vazhdon të jetë dukuri shqetësuese për Kosovën.

Njëjtë sikurse edhe vitet e kaluara, as viti 2024 nuk ka nisur mbarë në këtë aspekt.

Vetëm nga 1 janari i këtij viti e deri më tani janë 17 mjekë që e kanë lëshuar vendin.

Kështu ka bërë të ditur për Front Online, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.

“Prej një janarit të këtij viti e deri më tani janë 17 kolegë që kanë marrë dokumentin obligativ që duhet ta prezentojnë para organeve ku ata do të shkojnë për të punuar. Pra, ne konsiderojmë se ata ose vetëm kanë lidh kontrata ose janë në fazën finale për nënshkrimin e kontratave dhe largimit”, është shprehur Sejdiu për Front Online.

Sipas tij arsyet e ikjes së mjekëve nga Kosova për në vendet tjera të Evropës mbesin të njëjta tash e sa vite.

“E para është papunësia sepse ekziston një numër i madh i mjekëve të papunë pra mjekët e rinj të posa diplomuar, e dyta është kushtet e punës dhe edukimi specialistik po i shtynë një pjesë të specializantëve të largohen dhe e treta është çështja financiare”, ka thënë ai.

Sejdiu, ka shprehur shqetësimin e tij se mjekët që po ikin po marrin edhe familjet e tyre me vete.

Derisa ka shtuar se mosha mesatare e tyre është 30 vjeç.

“Kjo gjë është shumë e dëmshme për vendin sepse po ikin rinia dhe është pjesa më vitale e shoqërisë kur shumica prej tyre janë ose të sapomartuar ose në fazën e martesës dhe krijimit të familjes dhe ata pra po i bie që po largohen me gjithë familjen. Mosha mesatare e tyre është 30 vjeç”, ka thënë ndër të tjera Sejdiu.

Kjo ikje e mjekëve e cila kohëve të fundit është bërë trend sipas Sejdiut në sistemin shëndetësor do të ndikojë jo më larg se tri vjet.

“Në sistemin shëndetësor kjo gjendje do të ndikojë jo më larg se tri vjet”, ka shtuar ai.

Ndërsa, në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka deklaruar ka ngritur alarmin për ikjen nga vendi të profesionistëve shëndetësorë.

Haxhiu ka thënë se për tri vite, mbi tre mijë profesionistë shëndetësorë kanë lëshuar vendin.

Në fjalën e tij, Haxhiu tha se nëse vazhdon ky trend, sistemi shëndetësor do të kolapsojë.

Kurse, gjatë vitit të kaluar numri i mjekëve që kanë ëlshuar Kosovën ka qenë rreth 150./Front Online/

Shperndaje: