Lirohen nga akuza të gjithë mjekët e akuzuar për rastin ‘Stenta 2’
Shëndetësi / 20 Shtator, 2023
admin

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj mjekëve të akuzuar në rastin e njohur ‘Stenta 2’.

36 mjekët janë liruar nga akuza pasi nuk është provuar që kanë kryer veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘Marrje ryshfeti’.

Mjekët e përfshirë në këtë rast, ngarkoheshin me akuzën se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, pasi pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucionet publike shëndetësore, i kanë referuar në dy spitale private në vend të Klinikës së Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.

Në ndërkohë, Prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut, Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Në ketë çështje penale, hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridikë. Mirëpo, për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Shperndaje: