Lubizhda e Prizrenit do të bëhet me ujësjellës, komuna jep mbi 700 mijë euro tender
Prokurim / 6 Mars, 2023
admin

Komuna e Prizrenit, e cila udhëhiqet nga Shaqir Totaj, do të japë mbi 700 mijë euro për ndërtimin e ujësjellësit dhe rezervuarit në fshatin Lubizhdë.

Punët i janë besuar konsorciumit, “JOOS & KRASNIQI” dhe “SABA BELCA”, që njëherit është rekomanduar për kontratë të hënën.

Kontrata mes palëve pritet të finalizohet pas pak ditësh.

Tenderi, ku kriter kryesor për dhënie ishte çmimi më i ulët, është zhvilluar përmes procedurës së hapur.

Patën aplikuar gjithsej nëntë kompani.

Oferta e konsorciumit fitues prej 726 mijë eurove nuk ishte më e lira, por në fakt ishte e vetmja  që u vlerësua si e përgjegjshme.

“Juve ju është dhënë kontrata me çmimin e saktësuar në tenderin tuaj prej 726823.00 Euro. [OPCIONI: pas korrigjimit të gabimeve aritmetikore] dhe në pajtim me afatet dhe kushtet e dosjes së tenderit. Dhënia e kontratës është e përkohshme dhe nuk përbën një marrëveshje kontraktuale deri në skadimit te intervalit, gjatë të cilit ofertuesit e pasuksesshëm mund të kërkojnë shqyrtimin e vendimit”, thuhet në letrën dërguar grupit të operatorëve fitues.

 

Konsorciumi tjetër, “Fortesa” dhe “Benita Company”, konkurroi me çmim më të lirë, 587 mijë euro.

Megjithatë oferta  u vlerësua administrativisht e  papërgjegjshme.

“Ju keni caktuar me vendim menaxher te projektit Valon Etemin i cili është Inxhinier i diplomuar i ndërtimtarisë – drejtimi konstruktiv por nuk është Inxhinier i diplomuar i ndërtimtarisë drejtimi Hidroteknikës sipas kërkesës në ofertë”, thuhet në vendimin e komunës së Prizrenit dërguar kompanisë së eliminuar.

Edhe ofertat e kompanive tjera u eliminuan për arsye të kësaj natyre.

 

Komuna e Prizrenit kishte paraparë mbi 1.2 milionë euro për ndërtimin e ujësjellësit dhe rezervuarit në fshatin Lubizhdë.

 

 

Shperndaje: