Ministria e Sveçlës, 100 mijë € tender një burimor, biznesit që Kurti e promovoi
Prokurim / 21 Korrik, 2023
admin

Autor: FATLUM BERISHA

Ministria e Punëve të Brendshme, e cila drejtohet nga Xhelal Sveçla, i ka dhënë rrafsh 100 mijë euro në mënyrë të dyshimtë kompanisë Blendi.

Bëhet fjalë për një kontratë një burimore. Ajo parasheh furnizimin emergjent me 500 mijë afishe të plastifikuara për targat e aluminit, edhe atë veç për tre muaj, raporton Instituti për Hulumtime Front.

Afërsia e biznesit fitues me Vetëvendosjen

Ujdia mes palëve u arrit më 7 qershor të këtij viti. 12 ditë pas vizitës që Albin Kurti, shefi i Xhelal Sveçlës, bëri më 26 maj pikërisht brenda ambienteve të kësaj kompanie.

Ndërmarrja Blendi ishte ndër bizneset e pakta që mund të numërohen në gishta, nëpër të cilat shkoi si mysafir kryeqeveritari kosovar gjatë mandatit të tij gati tre vjeçar dhe ndër të rrallat që iu premtua ndihmë publikisht nga Qeveria. Diçka e tillë dëshmohet nëpërmjet një postimi në profilin zyrtar të vetë kryeministrit Kurti.

Ky është dyshimi i parë që rëndon mbi epilogun e tenderit.

Dyshimi tjetër mbi kontratën

Hija e dyshimeve bëhet akoma më e madhe kur analizohen procedurat nëpër të cilat kaloi tenderi.

Ministria e Punëve të Brendshme aplikoi procedurën e negociuar, pa publikim të njoftimit për kontratë për këtë aktivitet prokurimi. Procedura e tillë, ani se e lejuar ligjërisht, shmang transparencën dhe konkurrencën, dy parimet themelore të prokurimit, raporton Instituti për Hulumtime Front.

Dëshmi për këtë është ky tender. U ftua veç kompania Blendi për negociata dhe asnjë kompanie tjetër nga Ministria e Punëve të Brendshme. Kjo ani se në bazë të një vrojtimi vërehet se ka me dhjetëra kompani në Kosovë që mund të ofronin shërbim të ngjashëm me afishe të plastifikuara.

Procedura e negociuar, e cila e përjashtoi garën, mund të përdoret në tri raste sipas Ligjit të Prokurimit Publik.

Njëra nga to është për arsye të emergjencave ekstreme që janë shkaktuar.

Në titullin e aktivitetit të prokurimit, Ministria e lë të nënkuptohet këtë. Megjithatë mbetet i dyshimtë fakti se pse u ftua për negocim veç një kompani dhe pse pikërisht ajo që u vizitua nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, raporton Instituti për Hulumtime Front.

Hesht Ministria, arsyetohet kompania

Instituti për Hulumtime Front ka kontaktuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme për sqarimin e gjitha këtyre dyshimeve.

Megjithatë, nga ky dikaster nuk kanë kthyer përgjigje gjatë së enjtes.

Ndërkohë pronari i kompanisë Blendi, Shaip Rama ka mohuar afërsinë me Vetëvendosjen dhe mundësinë që ndonjë zyrtar i këtij subjekti që ka pushtetin të ketë ndikuar në dhënien e tenderit.

“Nuk ka ndikuar askush. Jemi profesional për atë arsye jemi ftuar vetëm ne. Kemi punuar shpejt. Nuk ka pasë askush ndikim nga Vetëvendosje dhe nuk kemi afërsi me këtë parti dhe asnjë tjetër”, u shpreh Rama për “Ifront”.

Kurti nuk ishte vetë tek kompania Blendi. Kishte marrë me vete gjatë vizitës edhe ministrin e Financave, Hekuran Murati.

Rreth shtypshkronjës Blendi

Ndëmarrja Tregtare Grafike, Blendi, figuron si biznes i regjistruar në Kosovë që nga viti 2000.

Aktivitet primar i saj është prodhimi i artikujve të letrës.

Kompania merr vazhdimisht tenderë nga institucionet shtetërore.

Shperndaje: