Ministria e Zhvillimit Rajonal: Ish-zv/ministri i tërhoqi 9230 € nga kartela shtetërore, jo të gjitha ishin të lejuara zyrtarisht
Lajme / 29 Shkurt, 2024
admin

Portali Front Online të shtunën ka raportuar që ish-zv.ministri i Zhvillimit Rajonal Almir Veliji sa ishte në këtë pozitë ka keqpërdorur kartelën e Qeverisë gjatë vitit 2023.

Front Online ka mësuar se i njëjti ka shfrytëzuar kredit-kartelën në mospërputhje me rregulloren MF NR.02/2018 PËR PËRDORIM TË KARTELËS KREDITORE PËR UDHËTIM ZYRTAR.

Sipas burimeve të Front Online vlera e mjeteve të keqpërdorura është rreth 6 mijë euro.

Në një email që ka siguruar Front Online të dërguar më 15 janar të këtij viti thuhet se ndaj të njëjtit ishte kërkuar që të bëhet bllokimi i kredit-kartelës.

Kërkesa, për bllokim të kartelës është bërë, pasi që Veliji nuk kishte ndërmarr hapa në kthimin e obligimeve, ani pse i ishte kërkuar që t’i kthejë mjetet në llogarinë e buxhetit të shtetit.

Për këtë çështje për Front Online të martën kanë kthyer përgjigje edhe nga Ministria e Zhvillimit Rajonal.

Në këtë ministri kanë pranuar që Veliji përpos udhëtimeve zyrtare të lejuara ka përdorur kredit-kartelën edhe për çështje të tjera.

“Kredit-kartela është shfrytëzuar për udhëtime zyrtare, por ka pasur edhe tërheqje të tjera në ATM”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Front Online.

Ndërsa, shuma që Veliji ka tërhequr me këtë kredit-kartelë gjatë vitit 2023 ka qenë 9230 euro.

Por, që në këtë shumë përfshihen edhe udhëtimet zyrtare të lejuara.

“Totali i transaksioneve nga kjo kredit-kartelë për vitin 2023 është 9,230.00 euro, por në kuadër të këtyre shumave ka edhe udhëtime zyrtare të lejuara”, thuhet më tutje në përgjigjen e ministrisë.

Të pyetur se për çfarë është shfrytëzuar dhe çfarë ka blerë ish-zv.ministri me këto para nga ministria kanë thënë se ka pasur vetëm tërheqje nga ATM-ja.

“Nuk ka përshkrim, vetëm tërheqje në ATM”, bëhet e ditur në përgjigjen e ministrisë për Front Online.

Ndërsa, kanë pranuar që ish-zv.ministri Veliji pas kërkesës që i është bërë për bllokim të kartelës ka kryer të gjitha obligimet ndaj ministrisë.

“Po, ka kryer obligimet”, kanë thënë nga Ministria.

Kurse, kur janë pyetur se a kanë kërkuar që të hetohet ky rast, kjo është përgjigja e tyre.

“Janë marrë masat e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në përgjigje.

Që ka kryer të gjitha obligimet ndaj ministrisë e ka thënë për Front Online edhe vet ish-zv.ministri Almir Veliji.

“Nuk është e vërtetë. Mundeni me thirr lirisht ministrinë. Unë jam zero zero me ta. Kam dhënë dorëheqje për arsye të mia politike dhe personale me Duda Baljen. Unë jam krejt i pastër dhe shihemi për të mira në të ardhmen”, është shprehur Veliji për Front Online.

Zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Almir Veliji, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë të martën e kaluar.

Veliji përmes një njoftimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook ka thënë se dorëheqja ka ardhur si shkak i mosmarrëveshjeve me Duda Baljen, me të cilën në të kaluarën kishin qenë bashkë në një parti politike.

Kurse, të enjten i njëjti është liruar nga detyra, nga kryeministri Albin Kurti, shkruan Front Online.

Veliji është larguar edhe nga subjekti politik që e udhëheq deputetja Duda Balje.

 

Ish zv/ministri Almir Veliji keqpërdori kartelën e Qeverisë, akuzohet se shpenzoi në Turqi paratë e shtetit bashkë me gruan (Dokument)

Shperndaje: