MSH hap tender 20 mijë euro për blerjen e 30 biletave të aeroplanit për udhëtime zyrtare
Lajme / 31 Gusht, 2023
admin

Ministria e Shëndetësisë ka iniciuar një tender me vlerë të parashikuar 20 mijë euro për blerjen e shërbimeve të transportit ajror, respektivisht 30 biletave të aeroplanit brenda një viti.

Ministria e Shëndetësisë para një jave ka hapur një njoftim për kontratë me vlerë të parashikuar 20 mijë euro me titull “Shërbime të transportit ajror”, shkruan Gazeta Shneta.

Sipas dosjes së tenderit në Aneksin 1. qëllimi i këtij tenderi është lidhja e një kontrate kornizë me një operator ekonomik i cili ofron shërbime të rezervimit dhe lëshimit të biletave të aeroplanit për udhëtimet e zyrtarëve të cilët do të autorizohen nga Ministria e Shëndetësisë.

“Gjatë periudhës një vjeçare numri i përafërt i biletave do të jetë 30 në destinacione të ndryshme të botës”, thuhet në dosje.

Në dosje poashtu kërkohet që operatori ekonomik të gjej biletat e lira por edhe rrugët e drejtpërdrejta në destinacione.

“Ofruesi i shërbimeve i suksesshëm duhet të rezervojë dhe të lëshojë aviobileta, duke pasur parasysh që të jenë me çmimin më të lirë të mundshëm duke kombinuar rrugët e drejtpërdrejta dhe më çmime sa me te favorshme për të arritur me kosto sa më të ultë që është e mundur”, thuhet në dosje.

Ndonëse nuk është arsyetuar pse, MSh ka kërkuar në dosje që ofruesi i shërbimeve të jetë në dispozicion 24 orë në ditë, 7 ditë në javë dhe 365 ditë në vit.

“Ofruesi i shërbimeve duhet të jetë në gjendje për të garantuar shërbime 365 ditë në vit, 7 ditë në javë dhe 24 orë në ditë dhe duke ofruar emrat e personave të kontaktit, e-mailat dhe numrin e telefonit kjo do të jetë si kusht pas nënshkrimit të kontratës (kjo është një kërkesë e detyrueshme)”, thuhet në dosje.

Në dosje është kërkuar që rezervimet duhet të bëhen kryesisht në klasë ekonomike, gjithmonë me qëllim që të kemi koston më efektive dhe të përshtatshme dhe me çmimin më të mirë në dispozicion në treg.

“Ofruesit të shërbimeve mund të i kërkohet për të dërguar opsione shtesë në të cilën AK-ve do të ju ofrohen oferta më të mira në aspektin e kohës, itinerarit dhe kostos dhe këto oferta duhet të jene së paku tri oferta nga kompani të ndryshme ajrore duke përfshirë (nëse aplikohet) një nga një kompani ajrore me kosto të ulët (Loë cost) që mbulon destinacionin e synuar”, thuhet në dosje.

Në dosje poashtu thuhet se MSh mund të bëj porosi të biletave edhe pa urdhër blerje në rastet jashtë orarit të rregullt të punës.

“AK mund të bëjnë porosinë e biletave pa urdhër blerje në rastet jashtë orarit të rregullt të punës apo ditëve të pushimit, në këto raste AK duhet të kenë arsye objektive që porosia e biletës nuk ka qenë e mundur të bëhet brenda orarit të rregullt të punës (08-16)”, thuhet në këtë tender.

Para dy javësh ministri Arben Vitia udhëtoi në Çeki bashkë me disa zyrtarë të kabinetit dhe drejtorin e SHSKUK-së Elvir Azizi ku u takuan me ministrin çek të shëndetësisë, me të cilin biseduan për disa bashkëpunime.

Kujtojmë se paraardhësi i Vitisë, ish-ministri Rifat Latifaj ishte kritikuar më së shumti për udhëtimet e tij të shpeshta nëpër vende të ndryshme të botës. Latifaj i arsyetonte këto udhëtime me pretendimet për të nënshkruar marrëveshje me këto vende për trajnimin e mjekëve në fusha të ndryshme. MSh asnjëherë nuk i ka bërë publike nëse këto udhëtime kanë pasur sukses.

Shperndaje: