Nga janari i këtij viti u shuan afër 400 biznese, faktori kryesor liberalizimi i vizave
Ekonomi / 25 Mars, 2024
admin

Trendi i shuarjes së bizneseve viteve të fundit në Kosovë ka shënuar rritje.

Në vetëm tre muajt e parë të këtij viti veprimtarinë e kanë shuar mbi 350 biznese në vend.

Ndërsa janë regjistruar mbi 2 mijë të reja.

Kështu kanë bërë të ditur për Front Online nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Çregjistrimi i bizneseve ka ardhur në mënyrë vullnetare, thonë nga MINT.

“Nga data 1 Janar 2024 e deri më tani 387 biznese janë ç ‘regjistruar. Gjatë periudhës Janar-Mars 2024 janë regjistruar 2,782 biznese të reja. Çregjistrimi është bërë në mënyrë vullnetare”, thuhet në përgjigjën e MINT.

 Këto janë llojet e bizneseve që po mbyllën ditëve të fundit në Kosovë

Nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kanë treguar për Front Online për llojet e bizneseve që po mbyllën në Kosovë.

Sallonet e floktarisë, riparimi i automjeteve, janë disa nga to.

“Aktualisht biznese aktive në Agjencinë e Regjistrimit të bizneseve janë 108,404. Veprimtaritë ekonomike më të zakonshme që kërkojnë mbylljen janë: Aktivitetet shërbyese të pijeve, taksive, mirëmbajtja dhe riparimi i automjeteve e sallonet e floktarisë dhe trajtimet e tjera të bukurisë”, thuhet në përgjigje.

Ish-ministri i Tregtisë: Liberalizimi i vizave faktori kryesor i largimit të rinjve dhe mbylljeve të bizneseve në Kosovë

Liberalizimi i vizave faktori kryesor i largimit të rinjve dhe mbylljeve të bizneseve në Kosovë.

Kështu po thotë për Front Online ish-ministri i Tregtisë në qeverisjen e Avdullah Hotit, Vesel Krasniqi.

Krasniqi tha se mbyllja e bizneseve po vërehet në secilën komunë.

Ai thotë se janë disa faktorë që po e rrisin këtë fenomen.

“Në çdo komunë po vërehet që po ka mbyllje të bizneseve sidomos atyre me pakicë, me largimin e vizave të rinj që kanë qenë punëtorë në sektorin e gastronomisë, ndërtimtarisë dhe disa sektorë tjerë ky është faktori kryesor. Kemi ngritje të çmimeve çdo ditë e pagat nuk po lëvizin edhe për çështjen e pagave po ikin punëtorët por faktorë është edhe sigurimet shëndetësore. Janë disa faktorë”, thotë Krasniqi.

Krasniqi: Qeveria ‘Kurti’ në vend se t’i faktorizoj bizneset, çdo ditë po i përndjek padrejtësisht me ndëshkime

Ish-ministri i Tregtisë, Vesel Krasniqi duke folur për Front Online ka kritikuar Qeverinë aktuale lidhur me situatën ekonomike në vend.

Krasniqi thotë se Qeveria ‘Kurti’ çdo ditë po i përndjek padrejtësisht bizneset me ndëshkime.

Këto masa duhet të merren sipas ish-ministrisë për parandalimin e mbylljeve të bizneseve.

“Shteti duhet të ndryshojë disa politika fiskale tek bizneset t’i subvencionojnë ato ti regjistrojnë punëtorët t’i rrisin pagat. Kjo qeveri çdo ditë e më shumë i përndjekë padrejtësisht bizneset duke i ndëshkuar sigurisht që çdo ditë do të mbyllen ato, në vend se të faktorizohen e të rregullohet situata ekonomike Qeveria i sulmon. Pa gjoba e ngarkesa nuk po mbijetojnë e jo më me këto”, u shpreh ai për Front Online.

Në kohën kur ka qenë Krasniqi në krye të MINT-it, thotë se nuk ka pasur numër kaq të lartë të c ‘regjistrimit të bizneseve.

Ai tha se Kosova është duke mbetur pa fuqi punëtore.

Sipas tij, deri tani Qeveria aktuale s’ka bërë ligj për investime strategjike.

“Në atë kohë më shumë ka pas biznese që janë regjistruar se sa që janë shuar se kjo është një procedurë që ka edhe shlyerje të bizneseve por ka biznese edhe që regjistrohen. Me ish-kryeministrin Avdullah Hoti kemi marr iniciativa për ndryshimin e politikave fiskale. Fuqia e punëtorëve është duke ikë sidomos rinia. Asnjë ligj nuk e kemi për investime strategjike, qeveria po merret me çështje sociale duke i mëshiru me ka 100 euro ndihma afatshkurtra”, theksoi Krasniqi.

Vranica: Gjatë muajve në vijim pritët të shuhen shumë biznese në Kosovë

Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomeve të Kosovës ka paralajëmruar se do të rritet numri i bizneseve që do të shuajnë veprimtarinë këtë vit.

“Efektet do të ndjehen më shumë gjatë muajve në vijim të këtij viti”, ka thënë Vranica.

Çështja e pagave, rritja e çmimit të produkteve, ngritja e tatimit janë disa nga faktorët që kanë çuar bizneset deri tek mbyllja, sipas Vranicës.

“Ndikimi i inflacionit, rritja e çmimeve të produkteve, kërkesa e rritjes së pagave dhe rritja e tyre, rritja e obligimeve publike(tatimi i qirasë dhe niveli i qirasë), mungesa e shërbimit të dedikuar, largimi i punëtorëve, ulje e ndjeshme e konsumit dhe fuqisë blerëse”, tha Vranica.

Vranica thotë se shteti duhet të ju ndihmojë bizneseve përmes grandeve.

Ai ka cekur disa nga hapat që duhet të merr Qeveria për të parandaluar shuarjen e bizneseve.

“Shteti duhet të ketë programe të cilat ju ndihmojnë bizneseve, stimulim përmes grandeve (tash janë vetëm 1% e buxhetit të dedikuar për SME-së ose vetëm 30mil nga totale), programe të lehtësimeve tatimore, asistim përmes programeve në ndërlidhjen e agjensioneve të huaja dhe vendore për rekrutim të punonjësve të huaj, stimulim të kuadrit profesional përmes subvencionimeve”, u shpreh Vranica për Front Online.

Ai thotë se bizneset kanë filluar të ndryshojnë kushtet nga frika e largimit të punëtorëve.

“Pronarët kanë filluar me i rritë pagat e me rregullu kushtet por kjo nuk do të ketë ndikim e parandalim të ikjes së punëtorëve”.

Së fundi, veprimtarinë biznesore e kanë pushuar edhe disa kafeteri të njohura në Prishtinë.

 

Shperndaje: