Pastrimi i rrobave të ushtarëve/ Kjo është shuma që pagoi Ministria e Mbrojtjes
Prokurim / 28 Gusht, 2023
admin

Ministria e Mbrojtjes ka nënshkruar një kontratë në vlerë 128 mijë euro me kompaninë Eco Cleaning.

Kompania do të bëjë pastrimin e rrobave të ushtarëve dhe mbulesave të tyre, thuhet në Dosjen e Tenderit, të cilën e ka parë Front Online.

Shuma, për të cilët ranë dakord palët, mund të mos harxhohet e tëra.

Kontrata është publike kornizë, që nënkupton se ministria paguan vetëm për aq pastrime të rrobave e mbulesave sa bën tek kompania brenda 36 muajve.

Njoftimi për kontratë ishte bërë në shkurt të këtij viti, megjithatë procesi tenderues u finalizua tek në gusht, shkaku i pezullimit të disahershëm të tenderit si rezultat i ankesave të kompanive pjesëmarrëse, raporton Front Online.

Vonesat siç duket shkaktuan telashe në punën operacionale të FSK-së.

Kjo për arsye se Ministria e Mbrojtjes kishte shkurtuar afatet kohore për dorëzim te tenderit me qëllim që ujdia të finalizohej sa më shpejt që ishte e mundur, ngase e konsideronte si alarmante gjendjen me pastrimin e mbulesave dhe rrobave në shërbimet e brendshme në njësitë e FSK-së, raporton Front Online.

Kërkesa e Departamentit të Prokurimit në Ministri ishte aprovuar nga Agjencia Qendrore e Prokurimit.

Në procesverbalin e hapjes shihet të kenë garuar për kontratë dy kompani.

Fjala është për A.L Dushi, e cila ofertoi me një çmim prej 128 mijë e 560 euro  dhe Eco Clean Corporation që konkurroi me një çmim prej 128 mijë e 30 euro, raporton Front Online.

Kompania Eco Clean e fitoi kontratën, shkaku që ofertoi për 530 euro më lirë se biznesi konkurrent, A.L Dushi, në tenderin ku kriter kryesor ishte tenderi i përgjegjshëm.

Tenderi ishte pezulluar fillimisht më datën 8 mars 2023, shkaku se Zyra e Prokurimit në Ministrinë e Mbrojtjes kishte ankesë nga një operator ekonomik për shkelje në njoftimin e kontratës.

Ministria pas kësaj kishte bërë korrigjimet e nevojshëm në njoftimin për kontratë.

Pezullimi i aktivitetit të prokurimit ndodhi edhe më 12 prill, tash shkaku i ankesës së një operatori garues, i cili pretendonte se janë bërë shkelje në njoftimin për vendim të Ministrisë.

 

Ministria e Mbrojtjes kishte planifikuar 210 mijë euro për këtë kontratë. /Front Online

Shperndaje: