Pleurat Sejdiu: 155 mjekë e lëshuan Kosovën nga janari e deri më tani
Shëndetësi / 11 Dhjetor, 2023
admin

Ikja e mjekeve nga Kosova tash e sa vite vazhdon të jetë dukuri mjaftë shqetësuese në vendin tonë.

Kushtet jo të mira në punë, paga e ulët dhe synimi për një jetë më të mirë, janë vetëm disa nga arsyet që po i shtyjnë mjekët të largohen nga Kosova, shkruan Front Online.

Një ikje e tillë ka vazhduar edhe në këtë vit.

Janë rreth 155 mjekë që nga fillimi i vitit e deri më tani që kanë bërë kërkesë në Odën e Mjekëve për certifikatë, dokument ky që iu mundëson largimin nga vendi dhe anëtarësimin në oda të tjera të vendeve jashtë Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur për Front Online, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.

“Mjekët që ne i gjurmojmë që mendojmë se janë duke u larguar nga Kosova janë ata të cilët aplikojnë në Odë për certifikatë që iu duhet për anëtarësim në odat e shteteve respektive edhe lidhjen e kontratës atje por periudha kur ata largohen nuk dihet. Ne i llogarisim sa persona kanë aplikuar për këtë dokument, dokument që iu duhet me u largu dhe ne konsiderojmë që ata janë potencial për t’u larguar dhe këtë vit janë 155 deri më sot”, ka deklaruar Sejdiu për Front Online.

Sejdiu, ka thënë se nuk e din se si do të jetë viti i ardhshëm, sa i përket largimit të mjekëve.

“Nuk mundem me ditë për vitin e ardhshëm, të shohim si po shkon puna”, ka shtuar ai.

Ndërsa, i pyetur se a ekziston rreziku që ndonjë klinikë të mbyllet, pasi ikja e mjekëve vazhdon të jetë e madhe, Sejdiu ka dhënë këtë përgjigje.

“Spitalet e klinikat momentalisht nuk preken. Problemi është se gjatë këtyre katër apo pesë viteve të fundit sa monitorojmë ne këtë proces, shumica janë mjek të ri, të papunë, të sapodiplomuar të cilët nuk punësohen nëpër klinika por në shtëpi të shëndetit dhe efekti është i ditur. Shtëpitë e shëndetit anë e kënd Kosovës sidomos në qytetet më të vogla të gjitha vuajnë prej mungesës së mjekëve kurse qendrat familjare në vende ma rurale janë të mbyllura apo janë vetëm me motra medicinale”, është shprehur Sejdiu.

Vetëm në vitin 2022 numri i mjekëve që e kanë lshuar vendin ka qenë mbi 200, kurse i infermierëve mbi 1000./Front Online/

Shperndaje: