Qendra e Studentëve jep tender rreth 700 mijë euro për pastrimin e konvikteve
Lajme / 3 Korrik, 2023
admin

Grupi i operatorëve ekonomikë “Beni” dhe “Krasniqi” është rekomanduar për kontratë në vlerë rreth 700 mijë euro nga Qendra e Studentëve, tash në muajin qershor.

Tenderi parasheh pastrimin për tri vjetët e ardhshme të objekteve të këtij institucioni, i cili ofron strehim të përkohshëm për një grup studentësh që ndjekin ligjëratat nën ombrellën e fakulteteve të Universitetit të Prishtinës, raporton “Front Online”.

Mirëmbajtja përfshin hapësirat brenda, si konviktet dhe ato jashtë, si oborrin. Këtu hyn edhe kujdesi për sallën 1 Tetori.

Qendra e Studentëve kishte aplikuar procedurën e hapur për këtë aktivitet prokurimi.

Garës ia mësyn gjashtë kompani, raporton “Front Online”.

Me ofertën më të lirë të përgjegjshme prej 647 mijë eurove, kriter ky kryesor për dhënien e kontratës, konkuroi konsorciumi “Beni” dhe “Krasniqi”, duke u shpall fitues në fund.

Çmimet e dy kompanive tjera, po ashtu të përgjegjshme, ishin më të shtrenjta, raporton “Front Online”.

Bëhet fjalë për “AROMA PLUS”, e cila ofertoi me një çmim prej 662 mijë euro dhe Efa Dienstleistung me 694 mijë sosh.

Tri kompanitë e tjera garuese u eliminuan, meqë s`plotësuan kritere të ndryshme të kërkuara në Dosjen e Tenderit.

Tenderi ishte pezulluar disa herë nga Qendra e Studentëve pas ankesave të operatorëve të eliminuar tek Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Ky institucion i hodhi poshtë ankimimet e të gjitha kompanive të pakënaqura, raporton “Front Online”.

Kësisoj, i mundësoi Qendrës së Studentëve lidhjen e kontratës me grupin e operatorëve ekonomikë, “Beni” dhe “Krasniqi”.

 

 

Shperndaje: