SHBA për Front Online: Na vjen keq që Lista Serbe do të bojkotojë shkarkimin e kryetarëve në veri
Lajme / 9 Prill, 2024
admin

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbi ka njoftuar të dielën se nuk do të marrë pjesë në një votim për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave veriore.

Votimi për largimin nga funksioni i kryetarëve shqiptarë do të mbahet më 21 prill.

Arsye për këtë u tha se listat e votuesve “nuk përkojnë me realitetin pasi vetëm në muajt e fundit janë larguar 15% e qytetarëve nga veriu”.

Lista Serbe pretenduan se listat e votuesve janë fryrë me emra shqiptarësh.

Arsyeja tjetër sipas tyre për bojkot u tha që janë kamerat qe do të vendosen ne qendrat e votimit, që sipas Listës Serbe, bëhen ‘për kërcënime dhe shantazhe’.

Për të gjitha këto pretendime, Lista Serbe nuk ofroi asnjë dëshmi.

Lidhur me vendimin e kësaj partie për mospjesëmarrje në votim për shkarkimin e kryetarëve shqiptar në veri, janë deklaruar për Front Online nga ambasada e SHBA-së.

Ambasada ka shprehur keqardhje që Lista Serbe do të bojkotojë shkarkimin e kryetarëve.

Nga ambasada kanë deklaruar se pjesëmarrja demokratike në votim bën që udhëheqësit të jenë përfaqësuesit të popullit të cilit i shërbejnë.

“Na vjen keq për deklaratën e Listës Srpska se do të tërhiqen nga pjesëmarrja në votimin për tërheqjen e kryebashkiakut. Në përputhje me kërkesat e saj ligjore, Kosova do të mbajë një votim për tërheqjen e kryetarëve më 21 prill në katër komunat në veri të Kosovës. Pjesëmarrja demokratike ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike”, thuhet në përgjigjën e ambasadës.

SHBA : Qëndrimi ynë është i pandryshuar, ne mbështesim demokracinë e larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike të Kosovës

Nga Ambasada kanë deklaruar për Front Online se qëndrimi i SHBA-së është i pandryshuar duke e mbështetur demokracinë gjithëpërfshirëse.

“Qëndrimi i SHBA-së është i qartë dhe i pandryshuar: Ne mbështesim demokracinë e larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike të Kosovës dhe zgjedhjet e lira, të drejta dhe legjitime që e mbështesin atë. Siç kanë thënë vazhdimisht ambasadori Hovenier dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë amerikane, ne besojmë se është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të kenë aftësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të tërhequr zyrtarët e zgjedhur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, nëse ata vendosin ta bëjnë këtë”, thuhet në përgjigje e tyre për Front Online.

Ambasada e SHBA-së ka deklaruar se i vlerësojnë përpjekjet e bëra nga zyrtarët zgjedhor.

“Ne vlerësojmë përpjekjet e bëra nga zyrtarët zgjedhorë kosovarë për t’i lejuar të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në këtë proces demokratik. Mundësi pjesëmarrjeje kanë të gjithë qytetarët e regjistruar në veri të Kosovës, thuhet në përgjigjën e ambasadës”.

SHBA-ja pret që Qeveria kosovare të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve në veri.

“Presim që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj në veri të Kosovës gjatë gjithë këtij procesi. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do të vazhdojnë ta ndjekin këtë proces nga afër”, përfundon përgjigja e ambasadës.

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde ka reaguar lidhur me vendimin e Listës Serbe.

Rohde ka thënë se është shqetësuese kjo qasje e këtij subjekti.

“Më 21 prill, organet zgjedhore kosovare do të mbajnë votimin për tërheqjen e kryetarëve të komunave në katër komunat veriore. Është jashtëzakonisht për të ardhur keq dhe më duhet të them shqetësuese që Lista Serbe ka vendosur sërish që të mos marrë pjesë në votim. Është një rast i qartë këtu që qytetarëve në veri janë përsëri duke u bërë presion që të mos marrin pjesë në proceset demokratike”, u shpreh ambasadori për Telegrafin.

Politikën e këtij subjekti Rohde e ka quajtur “bojkot dhe dorëheqje”, duke e cilësuar edhe si një tjetër autogol nga Lista Serbe.

 

 

 

Shperndaje: