Ja sa para u ndan për objektin e ish-Gjimnazit që u dogj në Ferizaj
Prokurim / 27 Mars, 2023
admin

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndau gjysmë milion euro për restarurimin e objektit të ish-gjimnazit të Ferizajt, “Ismail Qemali’.

Objekti, i cili përfaqëson vlerë të trashëgimisë kulturore, u përfshi nga një zjarr i madh ditë më parë.

Punët po i kryente kompania “Limit Project”, e cila u shpall fituese në tenderin e MKRS-së më 2 mars 2023.

Firmën në kontratë e hodhi edhe ministri i këtij dikasteri, Hajrulla Çeku.

Për tenderin, në të cilin u përdor procedura e hapur, morën pjesë vetëm dy kompani.

Bëhet fjalë për kompaninë “Limit Project” dhe konsorciumin “Design” e “Termomontim”.

E para ofertoi me 499 mijë euro, kurse i dyti ofertoi me 449 mijë sosh.

Ani pse konsorciumi ofroi çmim më të ulët, e që ishte kriteri kryesor për dhënien e tenderit, nuk fitoi në fund.

Kjo meqë sipas Zyrës së Prokurimit në Ministri nuk plotësoi kriteret tjera të kërkuara në Dosjen e Tenderit.

Grupi i operatorëve ekonomikë “Design” e “Termomontim” ishte ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit në nëntor të 2022-ës.

Kësisoj aktiviteti prokurues ishte pezulluar.

Megjithatë OSHP kishte hedhur poshtë si të pabazë ankesën e konsorciumit, teksa kishte bërë të qartë se vendimi i MKRS-së për ta shpërblyer kompaninë “Limit Project” mbetet në fuqi.

Aktiviteti i prokurimit kishte parashikuar shpenzimin e 523 mijë eurove për këtë projekt.

Çeku ngul këmbë në restaurim, përmendet mafia

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku, e ka quajtur krim djegien e objektit të gjimnazit të vjetër në Ferizaj.

Në reagimin e tij për rastin, Çeku ka thënë se përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë dhe se gjimnazi i vjetër do të restaurohet, “i pëlqeu apo jo keqbërësve”.

“Metodat e porositë mafioze nuk na ndalin”, ka shkruar ministri Çeku në Facebook.

Më konkretisht kur foli për mafinë ishte deputeti i VV-së nga Ferizaj, Dimal Basha.

“E çdo ferizajli sot dyshimet i ka veç te Mafia e Betonit!” – ka shkruar ndër të tjera ai.

Kolegu i tij, Enver Haliti në një postim në Facebook shkruan se krimi i organizuar dëshiron që ta shlyejë historinë e Ferizajt.

Ai shkruan se për herë të katërt ose të pestë i vihet flaka objektit të mbrojtur të trashëgimisë kulturore.

“Ftoj organet e rendit që ta hetojnë dhe të zbulohet urdhër dhënësi i këtij krimi. Turp!”, shkruan Haliti.

Nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se kanë marrë vendim për formimin e një ‘’Task-Force’’ për hetim të rastit në nivel rajonal.

/Front Online/

Shperndaje: