Vendimi i ZRrE-së për shtrenjtimin e rrymës, çfarë u tha Rizvanolli deputetëve?
Energji / 6 Prill, 2023
admin

Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë ka folur në Kuvendin e Kosovës për vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRre) për ndryshim tarifash – që nënkupton ngritje të çmimit të rrymës për 15 për qind.

Ministrja e Ekonomisë ka thënë të enjten se do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë qytetarëve – duke përmendur subvencionimin e rritjes deri më 800 kWh.

 

“Qeveria e Kosovës e ka përcjellur me vëmendje vendimet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për të hyrat maksimale të lejuara dhe për tarifat për vitin vijues. Ne kemi vendosur sikur edhe vitin e kaluar të qëndrojmë pranë qytetarëve duke i subvencionuar ata për konsumin deri në 800 KWh në muaj”, ka thënë Rizvanolli.

 

Ajo ka thënë se gjatë vitit të kaluar 80 për qind e konsumatorëve familjarë kanë shpenzuar më pak se 800 kWh.

“Gjatë vitit të kaluar mesatarisht 80 për qind e konsumatorëve familjarë kanë konsumuar më pak se 800 kWh. Kjo nënkuptonte se fatura e tyre pa subvencion do të rritej për rreth 3.8 euro në muaj. Ne do të vazhdojmë të mbështesim qytetarët”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Qeveria i ka ndihmuar qytetarët duke kaluar nga forma e ngrohjes me rrymë në forma të tjera më pak harxhuese të rrymës.

“Pas një skeme tejet të suksesshme ku i kemi ndihmuar 9 familje duke kaluar nga ngrohja përmes energjisë elektrike në forma të tjera më efiçente. Sivjet masa do të zgjerohet”, ka thënë Rizvanolli, duke shtuar se do të mbështeten edhe bizneset mikro.

 

“Në këtë mënyrë do t’i ndihmojmë edhe familjet edhe bizneset për të ulur konsumimin e energjisë duke e ulur koston e faturave, por edhe shumave të buxhetit që shkon për subvencionim”, ka thënë Rizvanolli.

 

Shperndaje: