Zemaj akuzon Vitinë: Ka tendencë ta mbajnë sektorin e kontrolluar për interesa të grupeve kriminale farmaceutike
Shëndetësi / 23 Janar, 2024
admin

Në vitin 2014 u miratua Ligji për sigurime shëndetësore, por i njëjti ende s’ka filluar të zbatohet.

Për realizimin e këtij projekti fillimisht duhet të funksionalizohet Sistemi Informativ Shëndetësor.

Ministria e Shëndetësisë kishte aprovuar në vitin 2011 fillimin e zbatimit të këtij sistemi, i cili ende nuk është realizuar.

Ministri aktual i Shëndetësisë, Arben Vitia, në nëntor të 2023-tes pati thënë se ka nisur funksionalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor.

Një gjë të tillë po e kundërshton, ish-ministri i këtij dikasteri, Armend Zemaj.

Zemaj thotë se Qeveria ‘Kurti’ funksionalizimin e Sistemit Informativ Shëndetësor po e shet si realizim të rrejshëm.

Deklaratat e Vitisë i ka cilësuar të improvizuara, ish-ministri Zemaj.

“Mund të ketë vetëm improvizim, diçka që s’ka mundur me ndodhë as plotësim i kushteve formale, është e pamundshme të ketë diçka funksionale. Kjo Qeveria ashtu siç ka ardhur me logjikën e mashtrimit e demagogjisë, ashtu mund të shesë si realizimi të rrejshëm sikurse kanë bërë për këto katër vite qeverisje”, thotë Zemaj.

Zemaj: Mosfunksionalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor paaftësi e keqpërdorim i Qeverisë ‘Kurti’

Ish-ministri i Shëndetësisë, njëherësh deputet i LDK-së, Armend Zemaj ka kritikuar Qeverinë aktuale për mos prurjen e ligjit për Sigurimin Shëndetësor në Kuvend për plotësim ndryshim.

Zemaj thotë se tash e katër vite VV-ja e ka premtim por jo zbatim.

Jo që s’ka ardhë në Kuvend, por as nuk është kërkuar ndihmë nga opozita për këtë ligj, thotë Zemaj.

“Është viti i katërt që Qeveria aktuale në çdo vit kalendarik të kësaj legjislature e ka pas pjesë të strategjisë legjislative por edhe të premtimeve që ligji do vijë për ndryshim plotësim, por jo që s’ka ardh ligji po as nuk kanë pranuar vullnetin tonë që të ju ndihmojmë në draftimin sa më efikas të tij”.

Deputeti i LDK-së tha se mosfunksionalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor është paaftësi e keqpërdorim i qeverisjes aktuale.

“Më e papërgjegjshme është se, çdo vit kanë proklamuar investime në këtë sistem dhe dolën në fund të vitit të kaluar e na thanë se janë duke bërë përfundimin e studimit të fizibilitetit. Kjo ndodhë për arsye të paaftësisë e keqpërdorimit të madh. Tendenca që ta mbajnë sektorin të kontrolluar për interesa të grupeve kriminale farmaceutike dhe atyre që japin shërbime të shtrenjta për qytetarin e varfër të Kosovës”, deklaroi Zemaj për Front Online.

Zemaj pyet Vitinë: Kush do jap përgjegjësi për investimet e projektet milionëshe në SISH që s’ka përfunduar ende?

Armend Zemaj, ish-ministër i Shëndetësisë ka parashtruar disa pyetje për ministrit aktual, Arben Vitia, lidhur me mosrealizimin e Sistemit Informativ Shëndetësor.

Zemaj ka kërkuar nga Vitia të tregon se kush do jap përgjegjësi për investimet e projektet milionëshe për këtë projekt që ende s’ka përfunduar.

“Për çfarë funksionalizimi po flet, për cilin projekt kush ka dhënë përgjegjësi për investimet e projektet milionëshe që janë zhvilluar në SISH, dhe sot dalin e thonë që janë në përfundim të projektit. Kënd po e mbrojnë këta keqpërdorues e hajna që kanë përgjegjësi ekzekutive ndër vite në pjesën administrative të kësaj ministrie, kujt po i shërbejnë këta keqpërdorues. Këto janë pyetjet dhe përgjigjet që duhet kërkuar nga Qeveria e MSH, pastaj mund të besojmë që diçka pozitive mund të ndodhë për funksionalizimin e SISH-it”.

Sipas të dhënave në Projektligjin e publikuar për buxhetin e vitit 2024, Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth shtatë milionë euro për Sistemin Informativ Shëndetësor. I tërë projekti gjithsej vlerësohet se do të kushtojë rreth 47 milionë euro./FrontOnline/

Shperndaje: