ZRRE “mbyt” transparencën për shtrenjtimin e rrymës
Energji / 15 Shkurt, 2022
Lavdim Hamidi

Rritja e çmimit të faturave të energjisë elektrike nga  Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka ngjallur reagime të shumta.

Partia më e madhe opozitare PDK-ja ka paralajmëruar se do të bashkëpunoj me partitë tjera për ta dërguar në institucionet e drejtësisë  vendimin për ngritjen e çmimit të energjisë.

Por, mos publikimi i  vendimit nga  Zyra e Rregullatorit të Energjisë po ia pamundëson punën partive opozitare për ta dërguar në Gjykatën Themelore dhe Kushtetuese këtë vendim.

Këtë e ka bërë të ditur për FrontOnline, zëdhënësi për media i PDK-së, Faton Abdullahu.

Ai tha se ZRRE-ja nuk po bën publike vendimin qëllimisht.

“Partia Demokratike e Kosovës ka punuar shumë. Puna jonë në këtë drejtim nuk ka të bëjë vetëm me demaskimin e këtij vendimi të padrejtë që dëmton drejtpërsëdrejti xhepin e qytetarit të Kosovës, por edhe për ta ndalur zbatimin e tij. Për këtë do të vazhdojmë angazhimin tonë të fortë opozitar. Prandaj do ta dërgojmë këtë vendim në Gjykatën Themelore (Departamenti për çështje administrative). Por këtë nuk po mund ta bëjmë përderisa ZRRE nuk e bën publike vendimin të cilin si duket qëllimshëm nuk po e publikon”, u shpreh ai.

Abdullahu tha se pavarësisht qasjes së ZRRE-së , PDK-ja nuk do të ndalet derisa ta ndalojnë ngritjen e çmimit të energjisë.

Pavarësisht prej kësaj qasje të papranueshme të ZRRE-së, ne nuk do të ndalemi për ta ndalë këtë të keqe në të mirë të qytetarëve”, tha ai

AAK: Në çdo formë do ta kundërshtojmë ngritjen e çmimit të energjisë

E pro bashkëpunimit me PDK-në, është edhe AAK-ja.

Zëdhënësi i kësaj partie, Lulzim Blakaj, për FrontOnline, tha se janë të hapur për bashkëpunim me të gjitha akterët që e kundërshtojnë vendimin për ngritjen e çmimit të energjisë.

“AAK do të bashkëpunojë me të gjitha partitë opozitare, parlamentare apo jashtëparlamentare, shoqërinë civile dhe të gjithë akterët e tjerë për të kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë”, tha ai.

Por, përveç rrugëve institucionale, nga AAK-ja, thonë se janë të gatshëm që vendimin ta kundërshtojnë edhe në forma tjera.

“Aleanca do të vazhdojë të kundërshtojë shtrenjtimin e rrymës elektrike në të gjitha rrugët institucionale. Nëse kjo nuk do të ketë sukses, atëherë jemi të hapur të shqyrtojmë edhe forma të tjera të kundërshtimit”, u shpreh tutje ai.

 Arben Gashi tregon nëse LDK-ja do t’i drejtohet Gjykatave lidhur me vendimin për shtrenjtimin e rrymës

Lidhur me dërgimin në Kushtetuese të vendimit për ngritjen e çmimit të energjisë për FrontOnline, ka folur edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Ai tha se nuk kanë diskutuar për dërgimin në Kushtetuese të vendimit për ngritjen e çmimit të energjisë.

“Nuk keni diskutuar për këtë çështje, është çështje që nuk kërkon numër të caktuar të nënshkrimeve, prandaj cilido subjekt politik mund të procedoi në mënyrë të pavarur” u shpreh Gashi.

PSD-ja kërkon nga ZRrE-ja që të publikohet menjëherë vendimi për rritjen e çmimit të energjisë

Publikimin e Vendimin për ngritjen e çmimit të energjisë, po e kërkon edhe PSD-ja.

Anëtarja e Kryesisë së kësaj partie, Donjeta Demolli, për FrontOnline tha se,  iu kanë bërë ftesë partive opozitare që të bashkohen për ta kundërshtuar këtë vendim.

“Ne i kemi bërë ftesë opozitës që bashkërisht të kundërshtojmë këtë padrejtësi dhe proces jotransparent duke përdorur të gjitha mjetet demokratike për ta penguar atë. Jemi në diskutim të vazhdueshëm me partitë e tjera opozitare për të ndërmarrë veprimet që do ta rrisin presionin. Tani ne kërkojmë publikimin e menjëhershëm të vendimit nga ZRrE”, tha ajo.

Interesimi të portalit FrontOnline, nuk i janë përgjigjur Nisma Socialdemokrate dhe ZRrE-ja.

 

Shperndaje: